NATYRA NË SHËRBIMIN E BUJQËSISË

Priroda u službi poljoprivrede

PRODHIMI BUJQËSOR I VLERËS SË LARTË NATYRORE: KONCEPT I CILI RUAN NATYRËN DHE BIODIVERSITETIN DHE NJËKOHËSISHT MUNDËSON PRODHIMIN E QËNDRUESHËM TË USHQIMIT DHE ZHVILLIMIN E KOMUNITETEVE RURALE

Koncepti i "prodhimit bujqësor me vlerë të lartë natyrore" u shfaq në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar dhe është i lidhur ngushtë me synimin e Bashkimit Evropian për të integruar mbrojtjen e natyrës në Politikën e Përbashkët Bujqësore.

Ky koncept bashkon mbrojtjen e biodiversitetit dhe të vlerave natyrore të zonave rurale me nevojën për prodhim të vazhdueshëm të ushqimit. Fjala "vlerë" në titullin e konceptit ka të bëjë me vlerën e ruajtjes së diversitetit të habitateve, përkatësisht llojeve të egra të bimëve dhe të kafshëve në zonën bujqësore të shfrytëzuar.

Ky koncept është më i përhapur në ato zona në Evropë ku bujqësia është metoda kryesore e shfrytëzimit të tokës dhe ku bujqësia mbështet, ose lidhet me shumëllojshmërinë e madhe të llojeve dhe të habitatateve, d.m.th. me praninë e llojeve që janë me rëndësi të madhe për ruajtjen në Evropë (Andersen et al, 2003).

Pse është i rëndësishëm për bujqësi koncepti i prodhimit bujqësor me vlerë të lartë natyrore?
Në radhë të parë, sepse nënkupton ruajtjen e sistemeve tradicionale bujqësore me intensitet të ulët (fermat e vogla dhe të mesme). Shumë lloje habitatesh të rrezikuara dhe shumë lloje të rrezikuara gjithashtu varen nga disa prej praktikave tradicionale bujqësore që ky koncept synon t’i mbrojë dhe t’i mbështesë.


Prodhimi bujqësor me vlerë të lartë natyrore përfshin tokat bujqësore dhe praktikat bujqësore me vlerë të lartë natyrore. Në këtë koncept, tokat bujqësore përcaktohen në lidhje me mbulesën tokësore me vlerë të lartë natyrore (p.sh. kullota, pemishte, ara), ndërkohë që praktikat bujqësore u referohen praktikave të zbatuara në atë tokë (p.sh. kullotje, kositje, krasitje).


Përveç ruajtjes së biodiversitetit, prodhimi bujqësor me vlerë të lartë siguron një numër të madh shërbimesh të tjera të natyrës për shoqërinë, si ajri dhe uji i pastër, ruajtja e diversitetit gjenetik, si dhe traditat dhe vlerat kulturore specifike për rajonet e ndryshme të Evropës dhe të Ballkanit Perëndimor.

Në pjesën më të madhe të Ballkanit Perëndimor , bujqësia është dega më e rëndësishme e ekonomisë. Për shekuj me radhë, fermerët shfrytëzojnë potencialin e lartë natyror të këtij rajoni për kryerjen e aktiviteteve bujqësore.Kjo ilustrohet nga fakti se pjesa e zonës bujqësore në Ballkanin Perëndimor zë 40% të territorit. Blegtoria dhe lavërtaria, dy shtylla mbështetëse të bujqësisë janë thellësisht të rrënjosura në traditën e këtyre zonave.



Top