SHËRBIMET E FURNIZIMIT
Uji, ushqimi dhe burimet mjekësore janë disa prej materialeve të papërpunuara që njerëzit marrin drejtpërdrejt nga ekosistemet e ndryshme. Shumë nga shërbimet e këtij grupi kontribuojnë në ekzistencën eatyre produkteve që gjenden në treg dhe me të cilat tregtohet. Përveç kësaj, në shumë zona rurale, familjet fshatare janë drejtpërdrejt të varura nga këto shërbime, të cilat u sigurojnë mjete për të jetuar. Këto shërbime të ekosistemit kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në qëndrueshmërinë e shumë komuniteteve rurale.
Ushqim
Praktikisht, të gjitha ekosistemet sigurojnë kushte për rritjen dhe mbledhjen e ushqimit, si dhe për gjuetinë dhe peshkimin. Nga të gjitha shërbimet e ekosistemit, prodhimi i ushqimit është i vetmi që tregon një trend konstant të rritjes në historinë e re. Sidoqoftë, tani dihet se dobitë në prodhimin bujqësor dhe në produktivitet shpesh shoqërohen me efekte negative në bazën e burimeve natyrore që na japin shërbime të ekosistemit, duke përfshirë dhe ushqimin. Një degradim i mëtejshëm i ekosistemeve si një bazë e burimeve naytrore për bujqësi, rrezikon potencialin e prodhimit të ushqimit në të ardhmen.
UJË
Pa ujë nuk ka jetë. Ekosistemet luajnë një rol vital në sigurimin e rrjedhjes së ujit dhe akumulimin e ujit të freskët. Trupat ujorë që nuk kanë përmbajtje të lartë kripe quhen ekosisteme të ujërave të ëmbla dhe përfshijnë liqene, lumenj dhe përrenj. Në nivelin global, uji i ëmbël gjendet kryesisht në gjendje të ngrirë në formën e akullnajës ose si lagështi e tokës. Uji i ëmbël nuk është i rëndësishëm vetëm për mbijetesën e njerëzve, por edhe për mbijetesën e të gjitha llojeve ekzistuese të kafshëve dhe të bimëve. Drithërat, për shembull, kryesisht varen nga uji. Kjo mbështetet nga fakti se pothuajse 60% e të gjitha ujërave nëntokësore në botë përdoren për ujitje të sistemeve bujqësore në të cilat kultivohen drithërat.
Burimet mjekësore
U Në shumë ekosisteme natyrore rriten lloje të ndryshme të bimëve dhe të kërpudhave që ofrojnë ilaçe për shumë probleme shëndetësore. Shumë lloje përdoren në mjekësinë bashkëkohore dhe tradicionale, si dhe në industrinë farmaceutike. Kudo në botë (si në vendet në zhvillim, ashtu edhe në vendet e zhvilluara) ka një interes në rritje për bimët mjekësore dhe aromatike që lidhen me përdorimin e tyre, kultivimin, ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm. Zonat e mëdha me bar, të tilla si livadhet dhe kullotat, përfaqësojnë një habitat për shumë lloje të bimëve mjekësore dhe të erëzave. Shfrytëzimi i tepërt ose braktisja e këtyre ekosistemeve natyrore çon në humbjen e shumë ilaçeve natyrore.